Trajneri i tij i dha një përqafim të fortë dhe pati fjalë të shkëlqyera për të, pas ndeshjes. Nuk është pak që një adoleshent 16-vjeçar të debutojë për Liverpulin, qoftë edhe në Kupën e Ligës (Karabao-Carabao). Kejd Gordon u bë i pesti lojtar më i ri që e bën këtë në historinë e kësaj skuadre të madhe dhe nuk u duk aspak keq. Bashkë me të debutuan edhe dy 18-vjeçarë si Konor Bredli dhe Tajlor Morton. Jurgen Klop po përpiqet të punojë tek Liverpuli me ata lojtarë që ka pasi refuzoi që të ndjekë gjurmët e Sitit, Çelsit apo edhe Mançester Junajtidit me blerje të mëdha. Liverpuli e fitoi 3-0 ndeshjen e kupës në Noruiç dhe basti i trajnerit gjerman doli i fituar, pasi ai la pushim disa nga lojtarët kryesorë. Përsa i përket talenteve të reja të klubit, Klopi dhe stafi i tij i kanë ndjekur gjatë verës, dhe kanë informacionin e duhur se ku mund të mbështeten.
Sfidanti.al