Në pamje të parë duket se “djajtë e kuq” do të jenë në pozicionin më të keq në duelin mes tyre në “Old Traford”. Dy prej lojtarëve më të mirë, portieri David De Gea, dhe mesfushori Pol Pogba, do të mungojnë ndaj Liverpulit këtë të diel në Premier Ligë, dy minuse të mëdhenj për trajnerin Ole Gunar Solskjer, skuadra e të cilit edhe pa këto dëmtime po paraqitet “për faqe të zezë”. Jo më kot, Junajtidi ka bërë nisjen më të keqe të kampionatit në 30 vjet.
Gjithsesi, edhe Liverpuli ka problemet e veta, ndonëse kryeson bindshëm renditjen. Lajmet që dalin nga klubi i kuq tregojnë se ende nuk ka paqe mes dy rivalëve të sulmit, Sadio Manesë dhe Mohamed Salahut. Në fund të muajit gusht, ata thuajse u zunë pasi Mane u ankua që Salah nuk i pasoi topin, diçka që trajneri Jurgen Klop e kaloi me një të qeshur optimiste. Gjithsesi, në skuadër flasin se dy sulmuesit nuk janë aspak në paqe, që të dy luftojnë për Këpucën e Artë, ndërsa Salah nuk i ka krijuar asnjë rast të pastër Manesë këtë sezon.
Sfidanti.al