Ish-“pijedashësi” i Arsenalit, Merson: Klopi, më i mirë se Guardiola!

Në kohën e tij ka qenë një lojtar shumë inteligjent, edhe pse jo gjithnjë me regjimin e duhur. Pol Mersoni ishte një nga ata talentet qejflinj, që e dashuronin futbollin, por dashuronin edhe jetën sikur të ishin dishepuj të Omer Khajamit, ndaj edhe ndoshta nuk e pati shkëlqimin e një Kristiano Ronaldoje. Gjithsesi, ai është një njeri i drejtpërdrejtë, që di ta thotë mendimin e tij dhe ta argumentojë atë. Kjo, edhe kur krahason dy trajnerët më të mirë sot për sot në Angli, e ndoshta edhe në Europë, Pep Guardiolën dhe Jurgen Klopin.

“Është e vërtetë që Guardiola ka fituar 5 trofe tek Siti dhe Klopi 3 tek Liverpuli, por ai është pranë titullit kampion, pra trofetë do të shtohen, – u shpreh Mersoni, – ai e krijoi Liverpulin dhe merita është e tij. Ai po e mund Guardiolën edhe pse ka shpenzuar shumë më pak para. Kjo e bën atë trajnerin më të mirë, pasi ai mund të marrë një ekip modest si Rotherhami dhe ta  ngjisë nga kategoria e katërt në Premier Ligë. Guardiola nuk e bën dot këtë. Ai ka nevojë për lojtarë që kushtojnë 80 apo 90 milionë paundë stërlina që ta bëjë sistemin që të funksionojë, kurse Klopi jo. Ajo që ka bërë ai është diçka e madhe, ai ka nevojë vetëm për kohë, jo për aq shumë para”.

Sfidanti.al