Kapiteni i të kuqve duhet të kthehet “në shërbim” javën e ardhshme që besohet të jetë vendimtare për të ardhmen e tij. Në moshën 31-vjeçare, Xhordan Henderson mbetet një yll i Liverpulit, veçse kontrata e tij përfundon vitin tjetër dhe zërat janë që klubi po lëkundet nëse duhet të rinovojë me të. Nuk dihet mirë se çfarë mendon trajneri Jurgen Klop, dhe nëse ai do të ndikojë që politika e pronarit Henri të ndryshojë, të paktën në këtë rast, lidhur me mos rinovimin e kontratave me lojtarë mbi 30 vjeç. Henderson nuk është thjeshtë një lojtar mbi 30 vjeç, por shpirti i ekipit dhe shifrat e mbështesin këtë. Liverpuli ka rendiment më të lartë rezultatesh me të në fushë. Gjithsesi, kapiteni mbetet me pushime, siç shihet në këtë foto në Majorkë të Spanjës bashkë me ish-shokun e ekipit, Daniel Starrixh. Madje, ai ka deklaruar se ka shumë alternativa për ta vazhduar karrierën e që tani po flitet për Paris SG. Nga ana tjetër, të kuqtë nuk janë treguar aktivë në treg dhe Sadio Mane u pikas duke bërë “pëlqim” ndaj një postimi ku kishte ankesë për politikën e transferimeve të Liverpulit.
Sfidanti.al