Harri kush? Totenhemi e siguron Championsin edhe pa Kejnin!

Kur Harri Kejn u dëmtua, shumëkush parashikoi ditë të zymta për Totenhemin. Konkurrenca në Premier Ligë, shoqëruar me goditjen psikologjike të eleminimit nga Juventusi në Champions, pritej t’i “bënin gropën” skuadrës së drejtuar nga ambiciozi dhe i afti Maurisio Poçetino. Tashmë, pas fitores bindëse në “Stemford Brixh”, askush nuk mohon se kishte qenë i gabuar.

Totenhemi i sotëm është tepër i fortë edhe përkundrejt eleminimeve të befta, thuajse të padrejta, edhe ndaj talljeve, madje edhe kur humb lojtarin kryesor. Deli Ali ishte heroi në mungesë të Kejnit, me dy gola që siguruan triumfin e “gjelave” në fushën e Çelsit, të parën që nga viti 1990.

Mediat britanike e quajtën këtë fitore, si më të madhen e sezonit, më të madhe edhe sesa ajo ndaj Realit në Champions, apo fitoret radhazi në “Uembli” ndaj Mançester Junajtidit dhe Arsenalit. Kjo, me shumë gjasa siguron Championsin për herë të tretë radhazi për të besuarit e Poçetinos, që do të luajnë për herë të parë në “Uajt Hart Lejnin” e ri. Tetë pikë diferencë me Çelsin janë shumë për t’u humbur në vetëm 7 javë që mbeten për t’u luajtur në Premier Ligë.

Sfidanti.al