Guardiola, fitove më në fund një ndeshje falë mbrojtjes!

Kur thua Pep Guardiola, ke parasysh futbollin sulmues dhe shpërthyes si shampanja. Gjithsesi, edhe trajneri katalanas mund të ketë ndonjë “version” tjetër dhe të tillë e tregoi në fitoren 1-0 arritur në fushën e Totenhemit. Kampionët ia dolën në “Uembli” në ndeshjen e vlefshme për Premier Ligën, veçse në mënyrë krejt jokarakteristike për ta, duke shënuar shpejt, e duke mbrojtur rezultatin.

“Kjo ishte fitore e mbrojtjes”, vërejti me të drejtë “Deili Meili”. Për të gjashtën ndeshje radhazi në kampionat, Siti nuk pësoi gol, diçka që ndodhi për herë të fundit në 2015. Totenhemi i vuri në vështirësi kampionët, sidomos me rastet e Harri Kejnit dhe Erik Lamelës, por ekipi fitues duhet të ketë edhe një portier të madh, dhe Siti pati brazilanin Ederson. Në fund të ndeshjes, Guardiola vlerësoi ekipin e tij, por theksoi edhe se “për habi, fusha e “Uemblit” ishte aq e keqe, saqë ishte tepër e vështirë të luhej futboll”.

Sfidanti.al