Guardiola e përsërit: Nëse i fitojmë të gjitha ndeshjet jemi kampionë!

Presioni ishte i madh, por nuk ndikoi fare. Mançester Siti arriti një triumf të madh 4-0 në fushën e Lids Junajtidit, edhe pse ishte vënë nën trysni nga fitorja 1-0 e Liverpulit në Njukasëll. Pritej më e vështirë për kampionët, por ata u përgjigjën siç duhet, si profesionistë të vërtetë, dhe si njerëz të regjur “me vaj e me uthull” në situata të tilla. Edhe Pep Guardiola përsëriti pikërisht këtë. “Nuk është çështje presioni, – tha ai, – ne kemi qenë edhe më parë në rrethana të tilla. Puna është vetëm që të fitojmë ndeshjet tona. Nëse i fitojmë të gjitha, dalim kampionë, nëse nuk i fitojmë, kampion del Liverpuli. Kaq! Duhet të vlerësoj lojtarët e mi që ishin fantastikë në një situatë të vështirë, mendoj se luajtëm një ndeshje shumë të mirë. Tani le të pushojmë mirë dhe të shkojmë në Madrid për fitore në Champions”.

Sfidanti.al