Tek Mançester Siti, sulmuesi brazilian ishte (siç i thonë fjalës) i paqendrueshëm në mënyrë të qendrueshme. Gabriel Zhezus nuk arriti ta bindte kurrë plotësisht Pep Guardiolën, veçse tek Arsenali duket se ka gjetur ekipin e duhur. Në një skuadër që krijon shumë raste, ai duket njeriu ideal sepse i kthen ato në gola, duke qenë më i qetë dhe më i sigurt për minutazhin në fushë. Nuk dihet nëse Pepi është penduar ndopak. Nëse Zhezus mund të quhet “çelësi” i Arsenalit, ai u kthye në “tmerrin” e Çelsit në miqësoren e fundit verore në SHBA. “Topçinjtë” fituan 4-0 derbin përgatitor, ndërsa “blutë” u turpëruan. Dakord, do të jetë Çelsi që do të luajë në Champions dhe Arsenali në Ligën e Europës, por kjo diferencë shkaktoi alarm. Ekipit të trajnerit Tuhel i duhet patjetër jo vetëm një tjetër qendërsulmues, por edhe një lojë më e mirë në mbrojtje.
Sfidanti.al