Marrëdhëniet me njerëzit janë diçka që nuk ta mëson asnjë shkollë dhe asnjë mësues në botë. Për ata që dinë, kjo vjen natyrshëm, diçka që ka lidhje me kapriçot e bashkimit të kromozomeve në barkun e nënës, por edhe me mënyrën sesi rritesh në familje dhe në shoqëri, që në moshë të vogël. Sër Aleks Fergusoni ka qenë një nga ata që ka ditur të sillet me njerëzit, edhe pse nuk ka qenë më pak egoist dhe i djallëzuar se shumë të tjerë. Një aspekt të sjelljes së tij me lojtarët e tregon ish-futbollisti i tij, Nani, në një intervistë për median e quajtur “Tribuna Ekspreso” (Tribuna Expresso).
“Nëse unë isha të nesërmen pushim, mund të dilja natën për qejf, – tregoi ai, – sidomos në ditë të veçanta si Krishtlindjet apo Viti i Ri. Në Angli, askush nuk e çan kokën për këtë”. “Na ka ndodhur që pas Vitit të Ri, ne të shkonim në stërvitje të bërë tapë, dhe trajneri (Fergusoni) të mos e vriste mendjen fare. Kjo ishte aftësia e Sër Aleksit, që ai dinte sesi të sillej me lojtarët, dhe kishte zgjuarsinë ta kuptonte se “ata kanë pasur një ditë të veçantë, dhe unë nuk kam pse të bëj kërkesa të mëdha”. Ne luanim një vit të tërë pa pushim, dhe ndonjë natë qejfi lejohej”. Edhe falë kësaj aftësie, Sër Aleksi arrinte të merrte maksimumin nga lojtarët e tij, dhe ai fitoi 13 tituj kampion me Mançester Junajtidin, si dhe dy Champions, apo edhe shumë trofe të tjerë.
Sfidanti.al