Rrugët e Çesk Fabregas dhe Çelsit duket se do të ndahen që në janar. Sipas një shkrimi të Times, në fakt klubi londinez ka vendosur ta japë hua 29 vjeçarin, ish- futbollistin e Barcelonës dhe Arsenalit. Që me mbërritjen e Antonio Kontes në pankinë, mesfushori spanjoll ka luajtur vetëm një ndeshje si titullar. Ndërkohë, Milani është i gatshëm të hyjë në tratativa, për t’i dhuruar Fabregasin trajnerit Montela.
Kjo mund të jetë mënyra e vetme për ta lëvizur futbollistin nga Çelsi, pasi spanjollit i kanë mbetur ende edhe dy vite e gjysëm kontratë dhe ka një pagë prej 9 milionë eurosh në sezon. Ja pse Çelsi kërkon ta huazojë, për t’u liruar kështu nga një pjesë e pagës, ndërkohë që Milani është në krye të listës, duke pasur parasysh edhe bisedimet që u bënë gjatë verës.