Nuk do të ishte edhe aq e thjeshtë përgjigja e pyetjes se cili trajner rrezikon më shumë shkarkimin në Angli, ai i Totenhemit, Mançester Junajtidit apo Arsenalit. Të tre klubet e shquar po hasin vështirësi, dhe pozitat e Poçetinos, Solskjerit dhe Emerit nuk janë aspak të mira. Ky i fundit ra në telashe të mëdha pas humbjes së pësuar në fushën e Shefild Junajtidit në Premier Ligë, disfatë që nuk e lejoi Arsenalin të ngjitej në katërshen e parë të renditjes, pra në zonën Champions.
Një nga fajtorët kryesorë për humbjen ishte sulmuesi Pepe, i ardhur nga Franca për 80 milionë euro, i cili shpërdoroi një mundësi të artë. Ndryshe veproi Lis Muset, një lojtar që dështoi tek Bornmuthi, dhe kartoni i të cilit kushtoi 7 herë më pak se ai i Pepes. Muset shënoi golin e vetëm të ndeshjes në stadiumin “Bramall Lejn”. Arsenali i kapitenit Xhaka nuk gjeti dot përgjigje, edhe pse largësia nga zona Champions nuk është më e madhe se 2 pikë.
Sfidanti.al