Po flasim për një kompliment të madh që golshënuesi numër 1 i të gjitha kohëve në Premier Ligë, Alan Shirer, po i bën kandidatit potencial për t’i zënë vendin. “Ndoshta ne jemi duke folur për golshënuesin e ri rekord të Premier Ligës”, – tha Shireri, duke vlerësuar sulmuesin e Mançester Junajtidit, Mejzën Grinvud (Mason Greenwood). Çfarë e shtyn autorin e 260 golave në elitën e futbollit anglez që të çmojë kaq shumë një 18-vjeçar, që “i ka ende buzët me qumësht”?
Grinvudi ka shënuar 10 gola deri tani, këtë sezon të Premier Ligës, dhe ka 17 gola në total në sezon, vërtet diçka e rrallë për moshën e tij. “Natyrisht është shumë herët të flasim, – pranon Shirëri, – ai ka rrugë të gjatë për të bërë, dhe nuk dihet se çfarë mund të ndodhë, por ai është shumë i mirë, dhe normalisht do të bëhet më i fuqishëm dhe më i mirë në të ardhmen”. Asnjë sulmues i madh i Premier Ligës nuk e ka arritur dot Shirërin, me Runin që ka 208 gola, Endi Koul ka 187 dhe Sergio Aguero është në kuotën 180. Gjithsesi, përpara Grinvudit, rekordin mund ta vendosë Harri Kejn që ka shënuar 142 gola në elitën angleze ndërsa është vetëm 26 vjeç.
Sfidanti.al