Dikur i dobët fizikisht, por sot një “bishë” e vërtetë

Aleksis Sançez është një nga futbollistët më të përgatitur fizikisht në botë, por, jo gjithnjë, ka qenë kështu, pasi, kur ai luante në Udineze, ai ishte i dobët, megjithëse me një shpejtësi dhe aftësi dribluese fantastike. Por, brenda një kohe të shkurtër, ai u shndërrua në një “bishë” të vërtetë, pasi tek Udinezeja ai konkludoi se duhej t’i shtonte vetes disa kilogramë muskujsh të pastër që të mund të përballonte mbrojtësit e fortë të Serisë A. Gazetari italian, Pietro Oleote, tregoi në revistën “Inside United” një rast jo fort të zakonshëm që ka lidhje me Sançezin në kohën, kur ai ishte në Udineze.

“Mbas një seance stërvitore me Udinezen, Sançezi shkoi në qendër të qytetit që të bënte pazar, por, pa dashje, ai harroi brenda në makinë që u mbyll automatikisht, çelsat dhe celularin. Nuk e di se çfarë do të kishin bërë të tjerët në një rast të tillë, por Sançezi vrapoi deri në shtëpinë e tij, rreth tetë km larg nga vendi, ku kishte lënë makinën. Kalimtarët eshihnin atë të habitur, duke vrapuar në mes të qytetit, duke mos kuptuar asgjë, ndërsa njoftuan edhe gazetën sportive lokale. Kjo është një gjë tipike për Sançezin që improvizon dhe shumë raste i shndërron në stërvitje”, tregoi Oleote. Në fakt, Sançezi konsiderohet si një nga lojtarët që stërvitet me intensitet të lartë kudo, ku ka qenë, në Udineze, Barcelona e Arsenal dhe, tani, me siguri edhe te Mançester Junajtidi. Ai nuk ka arritur deri në majën e futbollit botëror vetëm me talent të pastër, por edhe me punë të mundimshme.

Sfidanti