Kur Reali apo Barcelona trokasin në derën tënde, ti nuk ke sesi të mos e hapësh. Do të duheshin lojtarë të përmasave teknike dhe personalitetit si Pele apo Maradona që të refuzonin dy klubet më të mëdhenj të botës së futbollit. Këtë e thotë edhe Diego Kosta, që Spanjën e njeh mirë pasi ka luajtur atje për Atletikon. Sulmuesi i Çelsit, gjithsesi, nuk ka ndonjë frikë për vetveten, por për dy lojtarë të tjerë të Çelsit.
Eden Hazar dhe Tibo Kurtua mund të bëhen objektiv i Realit dhe Barçës, madje që këtë verë dhe do të jetë shumë e vështirë për klubin londinez që t’i mbajë më tej. “Dihet që Kurtua e pëlqen shumë Spanjën, – tha Kosta, – familja e tij jeton pikërisht në Spanjë dhe një klubi si Madridi i duhen portierë si ai”. “Reali dhe Barça me siguri mund të mendojnë për Hazarin, dhe ky do të ishte një lajm shumë i keq për Çelsin, – vazhdoi sulmuesi, – Eden është niveli më i lartë i mundshëm, Madridi dhe Barça padyshim që e pëlqejnë dhe nëse ata trokasin në derë, do të duhet të mendohesh”. Gjithsesi, Diego Kosta shpreson që kjo të mos ndodhë, ndërsa përsa i përket një kalimi të mundshëm të tij në Kinë, ai u shpreh se “u thanë shumë gjëra, por unë ja ku jam, këtu tek Çelsi”.
Sfidanti.al