Në Angli e dinë se trajneri i Mançester Junajtidit nuk është ndonjë tifoz i madh i mesfushorit francez, edhe pse kjo nuk është provuar sepse lojtari ka qenë i dëmtuar. Gjithsesi, mënyra sesi Ralf Rangnik foli për Pol Pogbanë e tregoi më së miri se çfarë vlerësimi ka për kampionin e botës në fuqi. “Meqë ra fjala, edhe kontrata ime përfundon në verë, – e nisi gjermani me shaka, – ne kemi të njëjtin synim, kemi të njëjtën ambicie, që të jemi të suksesshëm sa më shumë në këta muaj që na mbeten. Për mua nuk ka problem që përfundon kontrata, kryesore është sesa dëshiron një lojtar të jetë pjesë e grupit, sa shumë ndihet i lidhur me shokët. Pogba dëshiron të na tregojë se çfarë lojtari është, edhe sikur kjo të mjaftojë thjesht për t’i siguruar kontratë diku tjetër”. Pogba ka 2.5 muaj i dëmtuar, ndërsa besohet se në verë do të largohet nga “Old Trafordi” me parametër zero edhe pse është blerja rekord e “djajve të kuq” për 89 milionë paundë stërlina.
Sfidanti.al