Në Angli janë të shqetësuar, pasi një yll po i pengohet nga mamaja. Nuk është aspak yll i vogël, edhe pse vetëm 23 vjeç, dhe emri i tij është Leroi Sane. Mediat britanike njoftuan se Mançester Siti po has vështirësi në bisedimet për rinovimin e kontratës së lojtarit të krahut, dhe lajmet saktësojnë se personi pengues nuk është tjetër përveçse mama e tij, Regina Veber.
Nuk është fjala për një mama dosido, por për një ish-sportiste dhe ish-medaliste bronzi olimpike, gjë që ndodhi në Lojërat Olimpike Verore në 1984 në Los Anxhelos, kur Regina ishte gjimnaste me ekipin e Gjermanisë Perëndimore. Zyrtarisht, Sane ka si agjent babanë e tij, ish-futbollistin e Senegalit, Sulejman Sanenë, por së fundmi mamaja Regina ka nisur “të fusë hundët”.
Nuk është e qartë nëse pengesat e saj vijnë nga pakënaqësia për rrogën e ofruar (ndonëse Siti është nga klubet që jep rrogat më të larta në Europë), apo ngaqë nuk dëshiron t’i krijojë probleme të birit nëse kërkohet nga klube të mëdhenj si Reali apo Barcelona. Kontrata e tanishme e Sanesë vlen deri në 2021.
Sfidanti.al