Jurgen Klop ishte krejtësisht i tërbuar në përfundim të ndeshjes, aq sa as ideja se kishte arritur fitoren e 8-të radhazi nuk e ndihmoi aspak që të qetësohej. Trajneri i Liverpulit akuzoi rëndë gjyqtarin për paaftësi në gjykimin e ndeshjes, dhe po ashtu sulmoi rëndë mesfushorin e Leisterit, Hamza Çodri (Choudhury), që i shkaktoi një dëmtim në dukje serioz Mohamed Salahut.
“Ishte një ndërhyrje që vërtet unë nuk arrij ta kuptoj, – tha Klopi pas ndeshjes së fituar 2-1 në Premier Ligë, – ai (Çodri) duhet të qetësohet në raste të tilla, sepse nuk e ka për herë të parë. Ai është një lojtar i shkëlqyer, një talent i rritur në mënyrë të mrekullueshme, por nuk duhet të bëjë këto ndërhyrje. Kur ndërhyn me vrull dhe rrëzon tjetrin pa top, për mendimin tim meriton vetëm një lloj kartoni, të kuqin”. Arbitri i dha Çodrit vetëm të verdhin. Ishte minuta e 88-të dhe Salah doli nga fusha e lojës duke çaluar, me gjasë për një dëmtim në kaviljen e majtë. Sadio Mane kaloi Liverpulin në epërsi në 40’, Medison barazoi në 80’, por Xhejms Milner realizoi me gjakftohtësi penalltinë në minutën e 95-të për fitoren e të kuqve, që kryesojnë kampionatin anglez me 24 pikë të plota.
Sfidanti.al