Jo më kot quhet “Zonja e hekurt” e futbollit anglez, dhe gruaja ruse po e bën të qartë se përse është e tillë. Pasi negocioi në mënyrë të shkëlqyer kalimin e Eden Hazarit tek Reali i Madridit dy vjet më parë, dhe siguroi ardhjen e Timo Vernerit e Kai Havercit vjet, Marina Granovskaja ia doli që Çelsi ta përfundonte me fitim fazën e transferimeve këtë verë, të paktën siç janë punët deri në 25 gusht. U shpenzuan 115 milionë euro për Romelu Lukakun (98 milionë paundë stërlina) dhe u mor falas Markus Betineli, por nga ana tjetër u fituan 115.6 milionë euro (98.4 milionë paundë stërlina). Blutë larguan Tomorin (Milan, 25 milionë paundë), Abrahamin (Roma, 34), Zapakostën (Atalanta, 8), Guehi (Kristël Palas, 18) dhe rreth 10.4 milionë paundë stërlina nga Mozes, Livramento, Zhiru, Bejt dhe Përt-Harris.
Sfidanti.al