Besojeni Mhitarian: Jepini kohë Unait, Arsenali do të bëhet i fuqishëm

Dy humbje të Arsenalit në dy ndeshjet e para të Premier Ligës ishin të mjaftueshme që optimizmi i pragsezonit të ri midis tifozëve të tij që u kënaqën nga caktimi i trajnerit të ri, Unai Emeri, të binte menjëherë. Ky ekip londinez, në fakt, ka dështuar në dy ndeshjet e para që ishin derbi, me Mançesterin Sitin (0-2) dhe Çelsin (3-2), duke treguar se idetë e këtij trajneri që më parë ka drejtuar PSZH-në franceze, nuk po adaptohen te lojtarët. Por, megjithatë, një nga futbollistët kryesorë të ekipit, armeni Henrik Mhitarian, shpreh bindjen se Unai Emeri është tamam trajneri që i duhet Arsenalit.
“Secili ka të drejtën e mendimit të tij. Ne e dimë shumë mirë sesi po luajmë momentalisht dhe se çfarë duhet të arrijmë në të ardhmen e afërt. Nuk mjafton që ta godasim drejt portës dhe Zoti ta çoi topin në rrjetën e portës, ne duhet të stërvitemi fort dhe të krijojmë besim te vetëvetja. Dallimi mes Vengerit dhe Emerit nuk është i madh, sepse në aspektin futbollistik ata kanë një mentalitet, pak a shumë, të njëjtë që bazohet te pasimet e shkurtër dhe te futbolli sulmues. Sidoqoftë, filosofia e Unait është diçka më ndryshe; ai synon që sipër asaj që ka ngritur Vengeri, t’i shtojë diçka tjetër Arsenalit dhe të lejë gjurmën e vet. Ai synon që të krijojë një ekuilibër mes mbrojtjes e sulmit dhe kjo nuk është aspak e lehtë. Por, unë besoj tek Emeri dhe jam i bindur se ai do të ngrejë një Arsenal të fuqishëm”, deklaroi Mhitariani.
Sfidanti.al