Avram Grant në krah të Lampardit? E kemi parë një herë këtë histori!

Kur ndodhi për së pari, nuk përfundoi aspak mirë për “të zotin e shtëpisë”. Avram Grant u afrua në stafin teknik të Çelsit në verën e vitit 2007 dhe dy muaj më pas i zuri vendin Zhoze Murinjos. Në atë kohë, pronari i klubit Roman Abramoviç e solli specialistin izraelit si drejtor sportiv, por më pas blutë patën një rënie në rezultate dhe presidenti largoi trajnerin portugez.

Abramoviçi po e mendon sërish këtë skemë, të paktën në kuptimin e afrimit të Avram Grantit si specialist në stafin teknik të Çelsit. Të përditshmet angleze shkruajnë se miliarderi rus mendon se trajneri Frenk Lampard dhe ndihmësit e tij nuk kanë përvojën e duhur, ndaj një veteran si Granti mund të ndihmojë. Veçse, ndërsa kujton historinë e 2007-ës, mendja të shkon menjëherë tek një shkarkim i mundshëm i Lampardit dhe zëvendësimi i tij me izraelitin.

Granti i ka dalë në krah trajnerit të tanishëm duke shkruar në rrjetet sociale se ai ka nevojë për kohë, dhse se është një njeri me karakter të fortë. Në 2007-2008, trajneri izraelit drejtoi Çelsin deri në finalen e Championsit, humbur në Moskë ndaj Mançester Junajtidit vetëm pas penalltive. Në Premier Ligë, ai nuk humbi asnjë ndeshje, por nuk e fitoi dot titullin që e mori sërish Junajtidi. Në fund të sezonit, Abramoviçi e shkarkoi Grantin.

Sfidanti.al