Mund të jetë klubi i parë i rëndësishëm i futbollit në botë që do t’i ngjajë një shoqate për mbrojtjen e mjedisit. Arsenali i Londrës do të heqë sistemin e furnizimit me energji elektrike nga impianti i tij, “Emirejts”, do ta zëvendësojë me panele diellore. Anglezët kanë firmosur një marrëveshje me një kompani të specializuar në këtë sektor, e cila shumë shpejt do të bëjë që stadiumi “Emirejts” të furnizohet 100 për qind me energji nga ylli i sistemit tonë planetar, pra nga Dielli.
Natyrisht, drejtuesit e lartë të “topçinjve” nuk po nisen vetëm nga konsiderata ambientaliste “të gjelbra”, por edhe nga ato ekonomike. Sistemi me energji diellore do të ulë shpenzimet, do të pakësojë rrezatimet e rrezikshme për njerëzit, dhe do të pakësojë edhe humbjet në rrjet.
Arsenali do të ndihmojë edhe tifozët, me projektin e tij për stadiumin. Sponsori i klubit, “Oktopus Enerxhi” do të ofrojë kontrata për mijëra tifozë që të heqin energjinë elektrike nga shtëpitë apo dyqanet e tyre, dhe të përdorin energjinë e pastër dhe të rinovueshme, me sistemet që do t’ua montojë pikërisht kjo kompani.
B. Kuka