Pep Guardiola i ka dhënë leje të zgjatur Kun Agueros, ndërsa ylli i Mançester Sitit nuk mund të luajë në një pjesë të madhe të periudhës festive në Angli. Argjentinasi u pezullua me 4 ndeshje pas ndërhyrjes së egër ndaj David Luizit, në ndeshjen kundër Çelsit, dhe trajneri e lejoi që të bënte pushime të zgjatura. Ai nuk ishte në stërvitje përpara ndeshjes ndaj Leiçesterit, as nuk udhëtoi me skuadrën, dhe po ashtu nuk iu kërkua që të paraqitej në stërvitje. Besohet se leja e Agueros do të përfundojë në mbyllje të kësaj jave dhe ai do të nisë stërvitjen normalisht me skuadrën. Guardiola nuk do ta ketë në dispozicion numrin 10 deri në 31 dhjetor, por të paktën shpresohet të jetë në formën e duhur pas përfundimit të dënimit, në ndeshjen tepër të rëndësishme për titull ndaj Liverpulit, menjëherë pas Vitit të Ri.