Mançester Siti qenka bërë shumë “trim” nën drejtimin e Pep Guardiolës. Mediat britanike njoftojnë se klubi anglez i ka shkelur tri herë rregullat për antidopingun që kur katalanasi u emërua trajner verën e kaluar. Nuk besohet se gjithçka ka ndodhur me “dirigjimin” e Pepit, por gjithsesi një lidhje qoftë edhe rastësore nuk mund të rrihet pa u bërë.
Në pesë muaj rastet ishin njëri pas tjetrit, ndërsa në shkurt erdhi një gjobë prej 35 000 stërlinash. Në shtator, Siti i dha njerëzve të antidopingut një adresë të gabuar të hotelit për një lojtar, i cili besohet të jetë Ilkai Gyndogan, blerë në verë më 25 milionë euro. Një tjetër shkelje ishte për mosinformimin e Federatës Angleze për një seancë shtesë stërvitore në 12 korrik, ndërsa e treta ndodhi në dhjetor kur njerëzit e antidopingut nuk arritën të testonin lojtarët rezervë sepse atyre u ishte dhënë një ditë pushim, pa u informuar Federata.
Klubi njoftoi Federatën se gabimet me stërvitjen kishin lidhje me faktin se stafi i ri teknik nuk ishte mësuar me sistemin tek Siti.
Sfidanti.al