10 milionë… “arsye” se përse Konte mbetet ende trajner i Çelsit

Presioni mbi Antonio Konten në “Stemford Brixh” është i madh, ndërkohë që në qëndrat e basteve po vihen baste se ai do të jetë trajneri i radhës që do të shkarkohet në Premier Ligë. Në fakt, “blutë” e Londrës janë hije të atij ekipi që fitoi titullin e kampionit të Anglisë sezonin e kaluar, ndërkohë që, momentalisht, ata nuk bëjnë pjesë midis katër ekipeve të parë të Premier Ligës që do të marrin pjesë në Champions-in e ardhshëm. Madje, pardje, u tha se ai u largua nga “Stemford Brixhi”, por doli se ky lajm nuk ishte i vërtetë. Sidoqoftë, duket se eshtë çështje kohe se kur Çelsi do të ndahet nga Konte.

Thuhet se bordi i Çelsit, tanimë, ka zhvilluar mbledhje kushtuar kësaj çështjeje dhe drejtorëve përkatës u është thënë se Antonio Konte duhet të largohet, por se, sidoqoftë, do të jetë më mirë sikur trajneri italian ta japë vetë dorëheqjen, në vend që atë ta shkarkojnë. Dhe arsyeja është e thjeshtë, sepse, nëse bordi i klubit do ta shkarkojë Konten, atëherë, ky i fundit do të duhet që të kompensohet, ndërsa shuma e kompensimit nuk është e vogël – nëntë milionë sterlina ose 10 milionë euro!

Sfidanti.al