Prag Argjentinë-Australi, a do të ketë surprizë edhe për legjendën Mesi?!

Që sot e tutje nuk lejohet më asnjë gabim. Kupa e Botës në Katar nis fazën më emocionuese, atë me eliminim direkt dhe ndër të parët që zbresin në fushë janë Argjentina me Lionel Mesin. Kampionia e Amerikës së Jugut ka në letër një ndeshje të përballueshme ndaj Australisë pa ndonjë traditë të madhe, por ky turne me të papritura të mëdha i ka shqetësuar gjigandët. Ndërsa përgatiten për sfidën e orës 20:00, Mesi me shokë e dinë mirë se Gjermania u eliminua, ashtu si Uruguaj e Belgjika, dhe se Brazili e Spanja pësuan humbje në grup.

Edhe vetë Argjentina e provoi surprizën me humbjen e rëndë ndaj Arabisë Saudite, por që për fat nuk pati pasoja, pasi u fituan ndeshet ndaj Meksikës e Polonisë. Të paktën, ekipi nuk ka mungesa dhe në fushë mund të dalin më të mirët. Trajneri argjentinas, Skaloni, deklaroi se lojtarët e tij do të japin shpirtin në fushë për fitoren, ndërsa shton se nuk është aspak i habitur nga sukseset e Australisë. Australia, ndërkaq, ka favorin që nuk ndjen asnjë presion pasi nuk është favorite. Trajneri Graham Arnold ka besim pas suksesit ndaj Danimarkës, ndërsa nuk do të ketë probleme për formacionin.

Sfidanti.al