Përse ka ndryshuar Mançester Junajtidi? Mbylli veshët Murinjo…

Kësaj pyetjeje mundohet t’i japë përgjigje një nga trajnerët që punon në stafin e kryetrajnerit Ole Solskjer, konkretisht Kieran Mekena që verën e kaluar u “gradua”, duke kaluar nga trajner i ekipit të të rinjve deri nën 18 vjeç në stafin e trajnerëvë të ekipit të parë të Junajtidit. Ai ruajti vendin e tij në këtë staf edhe mbas shkarkimit të Murinjos dhe tani bashkë me Majkëll Karikun punojnë krah për krah me Solskjerin. Ekipi nën drejtimin e këtij të fundit në pesë ndeshje ka shënuar pesë fitore dhe ka ndryshuar plotësisht.
“Unë nuk mendoj se është e rëndësishme, nëse futbollistët janë 17 ose 18 vjeç, janë pjesëtarë të përfaqësueses ose yje të mëdhenj. Të gjithë ata duan të njëjtën gjë, që me ta të sillen me respekt dhe që ata të ndihmohen që të përmirësohen”, deklaroi Mekena në një prononcim në televizionin e klubit të Junajtidit, duke akuzuar kështu terthorazi Murinjon se këtij të fundit i mungonte sjellja korrekte ndaj lojtarëve.
“Nëse ju do të silleni me respekt me lojtarët, ata do t’ua shpërblejnë juve pozitivisht dhe me ta do ta keni shumë më të lehtë që të punoni”, vuri në dukje trajneri i lartpërmendur.
Sfidanti.al