Perez: Champions i merituar, Mbapeja tashmë është harruar!

Si president i klubit do të duhet të jetë edhe diplomat, edhe politikan, pra duhet që t’i bjerë rrotull të vërtetës ndonjëherë. Kështu bëri Florentino Perez, numri 1 i Realit, pasi ekipi i tij fitoi Ligën e Kampionëve. Edhe pas një ndeshjeje ku Liverpuli e dominoi kundërshtarin, Perezi deklaroi se “fitorja jonë ishte e merituar”, ndërsa më pas shtoi se “Mbapeja tashmë është harruar”. Në të vërtetë, kishte 2 vjet që u bë ç’mos për ta marrë duke ofruar edhe 200 milionë euro për kartonin e tij, pra e si mund të harrohet kaq shpejt? Më tej, “Don” Florentino foli për vlerat e Realit dhe sesi ekipi i tij fiton sepse lojtarët janë madrilenë dhe se përqafojnë vlerat e klubit. Nëse Reali nuk do të kishte qenë ekipi i kryeqytetit, dhe nëse futbolli spanjoll nuk do të ishte ky që është, ku gjithçka bëhet për Realin apo edhe për Barcelonën, lojtarët nuk do t’i kishin përqafuar aspak ato vlera. Në fund të fundit, lojtarët shkojnë aty ku janë paratë dhe ku është suksesi, ndërsa në Spanjë hierarkitë janë shumë të përcaktuara, krejt ndryshe nga Anglia, ku vërtet ka vlera të tjera për të përqafuar.

Sfidanti.al