Po flasim për kampionatin e 12-vjeçarëve (!!!), në të cilin nuk mund të ketë asnjë mendim për renditjen dhe për fitoren e ndeshjes, por thjesht për të luajtur futboll sa më mirë. Gjithsesi, njerëzit nuk janë të gjithë njësor dhe një prind veproi ndryshe në një sfidë në qendrën e banuar Gabiçe Mare, në provincën Pezaro-Urbino. Në një moment, fëmijët u grindën me njëri-tjetrin, dhe trajneri (në foto) i njërës prej skuadrave, Françesko Latini, ndërhyri duke i dhënë fund sherrit. Megjithatë, prindi në fjalë nuk u ndje mirë nga ndërhyrja e trajnerit duke e ofenduar që nga tribuna, pastaj zbriti poshtë dhe e goditi me grusht në fytyrë, e pastaj me shkelm në shpinë duke i thyer një brinjë. Një prind tjetër, që ishte polic, ndërhyri dhe e ndaloi agresorin duke i marrë dokumentat e identifikimit. Trajneri u dërgua në spital ku doli nga rreziku, ndërsa e denoncoi agresorin që besohet se nuk do të lejohet të shkelë në stadiume, fusha sportive dhe qendra stërvitore.
Sfidanti.al