Nuk ka më “fantazma” si Maradona, Hërst apo Shumaher, VAR-i në ndihmë të Botërorit

A jeni gati për risinë e fundit? Në Rusi, për herë të parë në histori, do të përdoret sistemi i teknologjisë, i njohur shkurt si VAR. Vendimi i FIFA-s është i prerë dhe shpresa është e madhe që gjyqtarët të kenë ndihmën që kanë kërkuar jetë e mot. Po ashtu, që fati i një skuadre apo i një turneu të mos vendoset nga një moment padrejtësie.

Një sistem telekamerash do të jetë vendosur nëpër stadiume, ndërsa në një qendër e specializuar do të jetë në Qendrën Ndërkombëtare të Transmetimit në Moskë. Ekipi  i VAR-it është përbërë nga një vëzhgues kryesor, dhe 3 ndihmës të tij. Po ashtu, do të jenë 4 specialistë të pamjeve të përsëritura me ngadalësi.

Materiali filmik, që nga Moska, do t’u shpërndahet të gjithë stadiumeve ku luhen ndeshjet, me pamje të aksioneve nga çdo kënd i fushës. VAR do të përdoret në rastin e golave, aksioneve që kanë lidhje me golat, penalltitë, kartonët e kuq si dhe kur gjyqtari gabon në identitetin e një lojtari.

Nëse teknologjia do të kishte qenë që në fillim, ndoshta fati i Botërorëve mund të kishte qenë tjetër. Më e famshmja nga të gjithë është “Dora e Zotit” e Maradonës në 1986, në çerekfinalen ndaj Anglisë. Gjyqtari e cilësoi të rregullt, pavarësisht protestave të anglezëve.

Jo më pak i përmendur goli i tretë i Anglisë ndaj Gjermanisë në finalen e Botërorit në 1966 në “Uembli”, i mbiquajtur goli fantazmë. Gjuajtja e Xhef Hërstit e kaloi apo jo vijën?

E rëndë goditja e Harald Shumaherit ndaj Batistonit në gjysmëfinalen e 1982-it, Gjermani Perëndimore-Francë. Francezi u nxorr jashtë me barrela, ndërsa portieri gjerman nuk u ndëshkua as me penallti, as me të verdhë.

Në 2010, Anglia u duk se shënoi me anë të Lampardit ndaj Gjermanisë, por goli nuk u dha, edhe pse topi kishte kaluar vijën fatale. Së fundi, holandezi De Jong mund ta kishte marrë në mënyrë të merituar të kuqen në finalen e 2010-ës ndaj Spanjës, pas goditjes kung fu ndaj Shabi Alonsos, por ia hodhi. Shpresohet që nga Botërori rus e më pas, këto të mos ndodhin më.

Sfidanti.al