Njeriu i Kupës së Anglisë, Patrik Vieira, sfidon Çelsin në “Uembli”

Si lojtar dhe si trajner nuk humbet në këtë konkurrim që nga viti 2004. Me 19 ndeshje të suksesshme, Patrik Vieira padyshim është një nga njerëzit e rëndësishëm në Kupën e Anglisë, dhe do të ketë rast ta shtojë këtë reputacion këtë të diel. Ish-kapiteni i Arsenalit (në foto) do të jetë në stolin e lavdishëm të stadiumit “Uembli” të Londrës, në gjysmëfinalen mes Kristël Palasit të tij dhe Çelsit. Edhe pse Blutë e Londrës kanë fituar 9 ndeshje radhazi ndaj Palasit (që të gjitha në Premier Ligë), Vieira nuk është nga ata që dorëzohen. Një finale në “Uembli” do të ishte diçka e mrekullueshme, dhe me synimin pastaj për ta fituar kupën për herë të parë në histori. Francezi ka fituar 5 kupa me fanelën e Arsenalit. “Nëse do të jemi të përqëndruar, kemi shans që të fitojmë”, – thotë Vieira.

Sfidanti.al