Nga gjyqtari më i keq i Botërorit deri në finale të Champions-it!

Federata evropiane e futbollit (UEFA) vendosi që ndeshjen finale të Champions-it, më 26 maj, në Kiev, mes Realit të Madridit dhe Liverpulit ta drejtojë gjyqtari serb, Milorad Mazhiç, duke bërë që shumëkush të ngrejë vetullat! Arsyeja është se ky gjyqtar është kritikuar shumë për performancën e tij në Botërorin e fundit në Brazil, më 2014. Atëkohë, ky arbitër serb u zgjodh si gjyqtari më i keq i atij kampionati botëror, madje, me një shkëputje të madhe nga gjyqtarët e tjerë!

Zhgënjyes ishin, sidomos, vendimet e tij në ndeshjen mes Gjermanisë dhe Portugalisë, kundër së cilës ai dha një penallti shumë të dyshimtë, ndërsa i tregoi kartonin e kuq mbrojtësit portugez, Pepe. Po ashtu, ai nuk i dha penallti Iranit në ndeshjen me Argjentinën që e fitoi atë 1-0.

Në uebsajtin “redcardtheref.com” të Botërorit të atëhershëm, u bë një anketë, sipas së cilës Mazhiçi (45 vjeç) grumbulloi 87 362 vota nga gjithsej 110 000, duke fituar “çmimin” si gjyqtari më i keq i turneut final!

Sfidanti.al