Nedim Bajrami ndër më të mirët në fushë, në fitoren pas 19 viteve!

Dashurinë me këtë stadium e kishte nisur më parë. Nedim Bajrami, ashtu si edhe Kristjan Asllani, ia kishte dalë të shënonte në “San Siro” ndaj Interit, në një ndeshje dramatike për Kupën e Italisë sezonin e kaluar, ndërsa këtë herë shkëlqeu në Serinë A. Mesfushori i kombëtares shqiptare ishte njëri nga më të mirët për Empolin, në fitoren e madhe 1-0 në Milano, madje ishte ai që krijoi golin e vetëm. U desh asisti i Bajramit dhe gabimi i portierit vendas, që të arrihej suksesi, i pari për ekipin toskan në “San Siro” pas 19 viteve.

Përveç ndihmës për golin, futbollisti kuqezi u dallua sa herë që pati topin në këmbë, ndërsa Empoli ndodhet në pozita komode në kampionat. Notat për mesfushorin 23-vjeçar ishin padyshim pozitive dhe po ashtu edhe komentet, me Eurosportin që i vendosi një 6.5 e duke e quajtur tepër aktiv. Edhe “Tutomerkatoueb” i jep shqiptarit notën 6.5, dhe komenton se sa herë që ai kishte topin në këmbë ishte i rrezikshëm për kundërshtarin.

Nga ana tjetër, për zikaltërit pati kritika të forta. “Katastrofë e Interit”, titullon “La Gazeta delo Sport”, festë e Empolit, Championsit në rrezik! “Çfarë dështimi për Interin”, shkruan “Il Korriere delo Sporti”, Spaleti tani qesh edhe më shumë! Me këtë humbje, ekipi milanez mbeti 12 pikë prapa Napolit duke i thënë lamtumirë ëndrrave për titull, ndërsa mesfushori tjetër kuqezi, Kristjan Asllani u aktivizua vetëm si zëvendësues në 20 minutat e fundit.

Sfidanti.al