Në pension pas 30 vitesh? Ançeloti mendon që ta mbyllë në majë!

Karriera ka nisur në 1 korrik 1995, dhe ajo ishte “dita e parë e punës” si trajner për Karlo Ançelotin. Tekniku italian, i mbiquajtur shpesh si “gjyshi” për shkak të pamjes dhe natyrës së tij, po mendon që ta grisë librezën e kontributeve dhe të marrë atë të pensionit. “Pas Realit ndoshta e mbyll, – thotë Karleto, që ndjen padyshim lodhje pas kaq motesh në profesion, – kam dëshirë që të rri me nipërit e mi, dhe të udhëtoj për të parë botën”. Me futbollin ka udhëtuar shumë, por vetëm ka qenë në aeroplanë, autobusë, hotele, stadiume dhe qendra stërvitore. Ançeloti e nisi në 1995 me Rexhanën për të vazhduar me Parmën e Juventusin, ndërsa u bë i famshëm më pas. Fitoi titullin kampion në 5 ligat e mëdha me Milanin, Çelsin, Paris SG, Bajernin dhe Realin, fitoi Championsin me Milanin e Realin, ndërsa provoi stolin edhe tek Napoli dhe Evertoni. Tani pritet të thotë “mjaft”, por vetëm kur ta mbyllë në Madrid. “Nëse Reali më do për 10 vjet, do të punoj 10 vjet”, – thotë italiani 62-vjeçar.

Sfidanti.al