Siç duket, kur njerëzit qenkan nga i njëjti “fshat” nuk shkokan mirë me njëri-tjetrin. Edhe Masimiliano Alegri e Luçiano Spaleti, nëse u beson shkrimeve mediatike në Itali, nuk qenkan miq nga më të mirët, e të paktën kjo u duk qartë në përfundim të ndeshjes Napoli-Juventus. Alegri kritikoi kolegun e tij sepse “kushtëzoi arbitrin” dhe Spaleti nuk u përmbajt. “Unë jam ai që kushtëzoj arbitrin? – tha ai, – unë që humbas gjithmonë, dhe kur fitoj vijnë e më bëjnë moral. Nuk ka pasur probleme në fushë. Shkova ta takoja Alegrin në fillim dhe në fund të ndeshjes, por ai largohej”. Atmosfera u duk se nuk ishte e mirë aq sa presidenti i Juventusit, Anjeli, ndërhyri që të vetët të ruanin gjakftohtësinë. Nuk është e lehtë për ish-kampionët të kenë vetëm 1 pikë në 3 ndeshje në Serinë A.
Sfidanti.al