Në Itali bëjnë për “ujë të ftohtë” edhe Milanin, edhe Juventusin!

Rezultatet ishin të kundërta, por kënaqësi thuajse nuk pati. Milani e Juventusi dolën, njëri humbës e tjetri fitues në Champions, por mediat italiane dhe opinioni në Apenine, nuk u bindën aspak me atë që panë. Katastrofa e kampionëve të Italisë në fushën e Çelsit, me shifrat 0-3, bëri që të ngrihej alarmi, edhe pse ekipi i trajnerit Stefano Pioli kishte 8 mungesa. Kjo, e kombinuar me fitoren e pabukur të Juventusit, bëri që të shpërthenin kritikat.

“Na dha dritë Di Maria, – titullon “Tutosporti” i Torinos, – “El Fideo” konfirmohet “Zotëria në Champions”. “Magjistari” Poter zhduk Milanin!” “Juve ala Rabio, – është komenti i “La Gazeta delo Sportit”, – Milani merr një leksion anglez. Londër e hidhur, i afrohemi barazimit pastaj lamtumirë!”

Më e habitshme situata e Juventusit sepse fitoi 3-1 në Torino me Makabin e Haifës. “Zebrat” ishin mjaft mirë për 75 minuta falë 3 asisteve të Angel Di Marisë që sollën dy golat e francezit Rabio dhe të Vlahoviçit. Çfarë ndodhi në 20 minutat e fundit? “Le të themi në 15 minutat e fundit, – tha ai, – për 75 minuta ishim aq mirë saqë menduam se i kishim zgjidhur të gjitha problemet dhe se do të shkonim në Milano me besim të plotë. Më pas ndodhën ato 15 minuta dhe lojtarët e kuptuan se nuk duhet të luajnë më në atë mënyrë. Rrezikuam të barazoheshim 2-2”. Në Itali gjykojnë se kualifikimi është në rrezik për Juven, Milanin, madje edhe për Interin.

Sfidanti.al