Murinjo: Ibrës iu ndalua pa të drejtë të ishte baraz me Mesin!

Zllatan Ibrahimoviç e shënoi golin që i duhej për të qenë golshënuesi më i mirë i Europës për vitin 2016, por një vendim arbitri ia mohoi këtë lavdi. Suedezi realizoi në ndeshjen e fundit të vitit, në portën e Midëllsbrout, por gjyqtari Li Mejzën gjykoi se rrjeta duhej anuluar për shkak të një faulli. Vendimi me shumë gjasa ishte i gabuar pasi në momentin kur gjuajti topin (në foto), Ibra nuk i kishte pranë kundërshtarët. Gjithsesi, goli u anulua dhe sulmuesi i Mançester Junajtidit mbeti një gol prapa Mesit, në renditjen përfundimtare të 2016-ës. Argjentinasi i Barcelonës ka shënuar 51 gola, Zllatan ka 50.

“Ishte një mëkat i vërtetë, – e mbrojti Murinjo lojtarin e tij, – natyrisht, arbitri Mejzën duhet të ndihet keq sepse me siguri ai e di se vendimi i tij ishte i gabuar. Ai gol do ta kishte bërë Zllatanin dhe Mesin si golshënuesit më të mirë të Europës, ndërsa vendimi i gjyqtarit nuk e lejoi të ishte në një nivel me një lojtar të mrekullueshëm si Mesi”.

Edhe ish-gjyqtari ndërkombëtar Hauard Ueb ishte kritik. “Vendimi ishte i çmendur, – tha ai, tashmë si komentator televiziv, – Zllatani është atletik dhe e ngre këmbën lart, por askush nga kundërshtarët nuk ishte 2 metra pranë tij, as portieri. Një gol mund të anulohet për lojë të rrezikshme, por aty nuk kishte lojë të rrezikshme”. Mançester Junajtid e fitoi ndeshjen 2-1.

Sfidanti.al