Muller stërvitet me Bayernin

Edhe pse vetëm përkohësisht dhe pothuajse simbolikisht, Thomas Muller është rikthyer te Bayern. Sulmuesi legjendar gjerman, në pritje të njoftimit zyrtar të transferimit të tij në MLS, me Vancouver Ëhitecaps si destinacionin më të mundshëm, është shfaqur duke u stërvitur me ekipin bavarez, i cili po përgatitet për fillimin e sezonit të ri.

Vetë Bayern bëri të ditur lajmin përmes kanaleve zyrtare, si në faqen e internetit ashtu edhe në rrjetet sociale: “Ndërsa Bayern zhvilloi një tjetër seancë stërvitore të martën në mëngjes për t’u përgatitur për sezonin e ardhshëm, një fytyrë e njohur u rikthye në fushë. Thomas Müller mori pjesë në seancën stërvitore si i ftuar së bashku me ish-shokët e tij të ekipit. Ikona bavareze dhe veterani i kampionëve gjermanë po e ruan formën fizike në ambientet në Säbener Strasse pas përfundimit të kontratës së tij”.

Sulmuesi 34-vjeçar i dha fund qëndrimit të tij të gjatë me Bayernin në qershor, pas më shumë se 15 sezonesh dhe mbi 700 paraqitjeve zyrtare, gjë që e bëri atë një nga ikonat e klubit dhe të futbollit gjerman. Transferimi i tij në MLS pritej të bëhej zyrtar më 1 gusht, por njoftimi është shtyrë. Ndërkohë, Müller po shfrytëzon lidhjen e tij me Bayernin për të qëndruar në formë për aventurën e tij të re. Lamtumira midis fituesit të Kupës së Botës 2014 dhe klubit të tij të hershëm nuk do të jetë kurrë vërtet përfundimtare.

sfidanti.al