Lindi në Utreht me emrin Marcel Van Basten por ia ndryshuan shpejt në Marko, dhe me me këtë në vitet që pasuan, u kthye në një ikonë të futbollit të bukur dhe pasionant. Bomberi legjendar i Ajaksit dhe Milanit, që koleksionon jo pak por 2018 gola me këto klube ikonë të futbollit europian, tashmë ka një rol të ri në pasionin e vjetër.
Marko Van Basten ka nisur të punojë me FIFA-n dhe presidentin e ri Xhani Infantino. Në bazë të projektit të ri të legjendës portokalli është futbolli i ndershëm dhe i bukur.
“Ne po punojmë që këtë sport ta bëjmë edhe më të ndershëm, të drejtë për të gjithë dhe spektakolar. Më pëlqen futbolli i lojtarëve që bëjnë diferencën por duhen rregulla, drejtësi dhe ‘fair play’. Nuk dua që të shoh ekipe që në 15 minutat e fundit luajnë vetëm për të humbur kohën kot. Dua futbollin argëtues por sot është bërë shumë e vështirë pasi ka agresivitet dhe shpejtësi”, tha Marko Van Basten, tashmë shef i zhvillimit teknik në FIFA.
Van Basten ishte një prej yjeve të epokës Berluskoni te Milan. “Holandezi fluturues” shihet si një prej sulmuesve më të mirë të historisë, i njohur për finishin klinik dhe golat akrobatikë.
/ Top Channel