Mirë Italia që barazoi, po Spanja ç’pati që humbi në Suedi?!

Të kaltërve nuk është se u prishi shumë punë barazimi në fushën e tyre me Bullgarinë, por gjithsesi tregoi se edhe kur del kampione Europe nuk ke të sigurt asgjë. Të besuarit e trajnerit Roberto Mançini ndoshta kanë qenë ende duke festuar dhe pas golit të Kiezës pësuan barazimin bullgar me anë të Atanas Ilievit, madje që në pjesën e parë. Gjithsesi, Italia ka 10 pikë dhe është në krye të grupit eleminator C të Kupës së Botës, ndaj 6 të Zvicrës që ka 2 ndeshje më pak dhe 4 të Irlandës së Veriut.

Sidoqoftë, habia më e madhe nuk ishte barazimi i Italisë, por humbja e Spanjës. Një ekip që shkëlqeu në Europian pikërisht ndaj italianëve, dhe që cilësohet si pretendent për Botërorin, pësoi disfatë në Suedi madje me përmbysje. Karlos Soler kaloi në epërsi miqtë e trajnerit Luis Enrike që në 5’, por Aleksandër Isak në 6’ dhe Viktor Kleson në 57’ përmbysën shifrat. Suedia ka dalë në krye të grupit me 9 pikë dhe një ndeshje më pak, ndërsa Spanja ka 7.

Sfidanti.al