Milan synon Fabbian për mesfushën, Allegri ëndërron Rabiot

Ndërsa Max Allegri ëndërron të drejtojë sërish Adrien Rabiot, Milani po lëviz për një tjetër emër për mesfushën: Giovanni Fabbian. Gjatë takimit të merkatos dje, në Casa Milan, përveç nevojës për një sulmues të ri, u diskutua edhe dëshira për të forcuar mesfushën. Trajneri livornez do të donte francezin që u nda nga Marseja, por gjatë orëve të fundit, siç raporton Matteo Moretto, është shfaqur profili i lojtarit të Bologna-s, Fabbian.

Për futbollistin e datëlindjes 2003, me një të kaluar tek Interi, është gati një ofertë prej 15 milionë eurosh, ndërsa Musah mbetet në dalje, i kërkuar nga Atalanta, që nuk pranon të paguajë 30 milionët që kërkon Milani.

Dhe Rabiot? Francezi është në mes të rrugës. Pas sherrit me Rowe, që i largoi të dy nga ekipi dhe i hodhi në merkato (anglo-amerikani shkoi te Bologna), e ardhmja e mesfushorit duket larg Marsejës, duke marrë parasysh edhe fjalët e ashpra të nënës së tij, Veronique, ndaj klubit. Por De Zerbi ka ulur tonet, duke thënë se një rikthim i mundshëm i Rabiot nuk varet vetëm nga ai. Sipas medieve franceze, ish-lojtari i Juventusit, pas kërkesës së faljes ndaj trajnerit, i ka kërkuar falje edhe klubit.

Megjithatë, mbetet e vështirë që ai të qëndrojë, jo për arsye teknike, por disiplinore. Pikërisht mbi këtë bazë Allegri ka insistuar me drejtuesit e Milanit: ai do të donte të rikthente Rabiot si qendër të mesfushës, sikurse në kohën te Juventusit, edhe pse Furlani dhe Tare i kanë sjellë tashmë emra si Modric, Jashari dhe Ricci në mesfushë.

sfidanti.al