Milan kaloi një tjetër test maturie teksa kualifikohet për në cerekfinale të Kupës së Italisë. Edhe një herë te kuqezinjtë u pa forca e grupit të Piolot ku të gjithë janë në shërbim të skuadrës dhe me të drejtë duhet të nënvizohet që është pikërisht kjo forcë grupi që po bën diferencën në këtë moment te skuadra milaneze.
Gjithcka po shkon për mrekulli dhe për Maldinin e Massaran do të jetë e vështirë që të përmirësojë këtë grup në këtë sesion të merkatos. Në radhë të parë, sepse është për t’u mbyllur cështja Hakan Calhanoglu dhe rinovimi I tij. Në këtë pikë tek të gjitha palët ka optimizëm teksa Milani zhvilloi takim me agjentin Gordon Stipic.
Kuqezinjtë i ofrojnë futbollistit 4.5 milionë Euro dhe bonuse, ndërkohë që stafi i Calhanoglu kërkojnë 6-6.5 milionë Euro. Ekziston mundësia që të gjendet akordi për 5 milionë Euro. Nëse futbollisti turk nuk do të rinovojë, gjë që duket shumë e vështirë të ndodhë, Juventusi do të jetë gati që ta mirëpresë në muajt e verës me parametra zero për t’i ofruar një kontratë me 5 milionë Euro. Megjithatë shenjat janë që mesfushori do të rinovojë.
Sfidanti.al