Mertens, ç’pate që bëri shpoti me emblemën e Liverpulit?!

Prag-ndeshja mund të ishte e tensionuar, por një profesionist dhe një belg i ftohtë, di të bëjë humor edhe përpara dramave. Dris Mertens, ylli i Napolit, bëri shaka me emblemën “Ky është Anfildi” (në foto mbi hyrjen e tunelit) në stadiumin e Liverpulit, në prag të duelit të jashtëzakonshëm në Champions.

“Në vitin 2010 erdha këtu me Utrehtin në Ligën e Europës, – tha Mertensi, – dhe isha kurioz të shikoja këtë shënim, pasi të gjithë flisnin për të. Mendoja se duhej të ishte ndonjë emblemë shumë e madhe, por kur hyra në stadium pyeta të tjerët se ku ishte ajo. Më thanë se kisha kaluar hyrjen e tuenlit, dhe nuk e kisha vënë re”.

Mertensi tregon se në pushim të ndeshjes (që përfundoi 0-0) vëzhgoi me më shumë vëmendje dhe e dalloi shkrimin mbi hyrje. “Kjo qenka kaq e vogël, – tha Mertensi, – vërtet, kjo gjë kaq e vogël është kaq e veçantë?”

“This is Anfield” është vërtet e veçantë për Liverpulin, e vendosur për herë të parë nga trajneri legjendar, Bill Shenkli, që drejtoi ekipin në vitet 1959-1974. Ajo stemë mbeti aty deri në 1998, kur u zëvendësua me një më të re, por pastaj ish-trajneri Brendan Roxhers vendosi të rikthente stemën e vjetër. Lojtarët e Liverpulit e prekin emblemën përpara se të hyjnë në fushë, duke shpresuar që ajo t’u hapë fat.

Sfidanti.al