Merr fund pas 70 vjetësh dinastia Maldini te Milani

Një histori që nisi në vitin 1954 dhe përfundon tani, në vitin 2024. Pas 70 vjetësh histori, emri Maldini nuk do të jetë më i pranishëm në stafin e Milanit. Daniel Maldini, anëtari i fundit i klanit, u largua përfundimisht nga kuqezinjtë për t’iu bashkuar Monzas. Dinastia Maldini në Milano filloi me Cesaren, në vitin e largët 1954. Si lojtar, patriarku i familjes luajti 390 ndeshje për italianët, midis viteve 1954 dhe 1966. Më vonë u kthye si trajner, në dy raste. E para midis 1972 dhe 1974 dhe e dyta në 2001.

Maldini i dytë që veshi fanellën kuqezi të klubit ishte ai që pati ndikimin më të madh te skuadra e Milanit. Paolo Maldini kaloi të gjithë rininë e tij në këtë klub dhe bëri debutimin për ekipin e parë në vitin 1985. Më pas kaloi 25 vite radhazi si lojtar kuqezi, shumë prej të cilave si kapiten dhe figura kryesore e Milanit. Në total, luajti 902 ndeshje, ku fitoi 25 tituj mbresëlënës. Ai u tërhoq në vitin 2009, në moshën 41-vjeçare, por u kthye në klub në vitin 2018, në postin e drejtorit sportiv, të cilin e mbajti deri në vitin 2023. Anëtari i tretë dhe i fundit i familjes Maldini, që përfaqësoi kolosin italian, ishte Danieli. Më pak i suksesshëm se babai i tij, Paolo, dhe gjyshi, Cesare, mesfushori sulmues luajti vetëm 24 ndeshje për klubin, pasi kaloi gjithë periudhën e formimit në klubin verior italian. Pasuan huazimet te Spezia, Empoli dhe Monza, më këtë të fundit që blen lojtarin përgjithmonë, duke i dhënë fund kështu epokës së Maldinit te Milani.

 

sfidanti.al