Largimi i Kiljan Mbape nga “gjigandët” francezë të PSG, duket shumë i afërt e për këtë arsye Presidenti, Nasser Al-Khelaifi po mendon për të bërë një merkato “të çmendur” këtë verë dhe mesa duket objektivi i radhës do të jetë një nga “yjet” e momentit.
Sipas raportimeve më të fundit nga gazeta e mirënjohur napoletane, “Il Mattino”, “parisienët” kanë bërë ofertën e tyre të parë prej 110 milionë eurosh për “bomberin” e kampionëve të Italisë, Viktor Osimhen, si dhe janë gati t’i ofrojnë këtij të fundit plot 12 milionë euro në vit për të ardhur në “Parc des Princes”. Mirëpo, pavarësisht ofertës “stratosferike”, agjenti i nigerianit, Roberto Kalendi është i vetdijshëm se Presidenti i Napolit, Aurelio de Laurentiis nuk do ta lërë Osimhen të shkojë për kaq pak miliona dhe shpreson në një ofertë të dytë e më të majme të “parisienëve”.
Ndërkaq, kujtojmë se në sezonin e shkuar, Osimhen ishte padyshim protagonisti kryesor në shpalljen kampion të “bluve” të Napolit, pas 33 vitesh, teksa në 39 paraqitjet e zhvilluara përgjatë gjithë kompeticioneve ka arritur të gjejë rrugën e rrjetës në 31 raste, si dhe ka asistuar shokët e tij të skuadrës 5 herë të tjera.
sfidanti.al