Edhe pse zv. kapiteni i Shqipërisë ishte i impenjuar në dy ndeshje të vështira radhazi, edhe pse u duk i lodhur ndaj Polonisë, sërish trajneri i tij tek Lacio, Mauricio Sarri, nuk e humbi aspak besimin tek ai, thjesht e zëvendësoi pas pushimit. Elseid Hysaj mbetet “shtyllë” për tekniku lacial, ashtu siç ka qenë tek Empoli dhe Napoli, ndërsa “njeriu me cigare” është ende me duart me kallo e me pluhur duke ndërtuar kryeveprën e tij të radhës.
Që nga Empoli, Napoli, Çelsi e Juventusi, ai ka mësuar sesi të arrijë suksesin dhe do të përpiqet ta bëjë këtë në “Qytetin e Përjetshëm”. Ai është i kënaqur për fitoren e vështirë ndaj Interit dhe për përgjigjen pas disfatës së rëndë 0-3 në fushën e Bolonjës. “Nuk ishte e lehtë kundër një ekipi kaq të fortë, – thotë Sarri, – djemve u thashë në pushim se mund ta përmbysnim, mjaftonte një episod”. Lacio ka tani 14 pikë duke qenë në garë të paktën për zonën Champions dhe kjo nuk është pak. Tekniku habitet me protestën e ekzagjeruar interiste. “Felipe Andersonin e kërcënuan rëndë, – tha ai, – prisja ndonjë të kuq. Unë u pezullova sepse u bëra kërcënues, por pa lëvizur as gishtin. Sa për lojtarin e rrëzuar, Interi e kishte topi dhe nuk e ndaloi lojën, ndërsa më pas e patëm ne. Rregullorja është e qartë, vetëm në Itali ndodhin këto gjëra, në Angli vazhdojnë të luajnë”.
Sfidanti.al