Përfaqësuesja e Rusisë la një përshtypje të mirë dhe solide në kampionatin e fundit botëror që u zhvillua në territorin e saj dhe arritja e saj deri te tetë ekipet më të mirë të botës u konsiderua një sukses i madh, për të cilin u shpërblye, në radhë të parë, trajneri i saj, Stanislav Çerçesov. Sikurse dihet, Rusia eliminoi Spanjën në 1/8-tën e finaleve me penallti, para se të eliminohej po me penallti nga Kroacia në çerekfinale. Sidoqoftë, federata ruse e futbollit ishte e kënaqur me performancat e “zbornajas” (përfaqësueses ruse), sidomos, për grintën e saj dhe faktin që ajo arriti midis tetë ekipeve më të mirë të botës.
Në këto kushte, federata ruse i ofroi Çerçesovit një kontratë të re dyvjeçare, të cilën ai e nënshkroi, kështu që ai do ta drejtojë ekipin në ndeshjet kualifikuese të kampionatit evropian të ardhshëm. Këto ditë, ekipin përfaqësues rus do ta presë presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, që pritet t’i urojë dhe t’i dekorojë për suksesin e madh të arritur nga futbollistët rusë në Botërorin e fundit.