Liverpuli: Barça si Sent Etieni, por asgjë nuk e arrin Stambollin

Historia e rëndësishme e kësaj skuadre në Europë ka edhe përmbysje të tjera si kjo ndaj Barcelonës. Gazeta “Deili Meil” bëri një renditje të netëve të mëdha të “Anfildit” dhe vuri në vend të parë pikërisht rrokullisjen e realizuar nga djemtë e Klopit. Kjo duket se la më në fund pas sfidën e madhe të 1977-ës në çerekfinalet e Kupës së Kampionëve ndaj Sent Etienit, kur Liverpuli përmbysi humbjen 0-1 në Francë, duke fituar 3-1, edhe pse ishte në 1-1 deri pranë minutave të fundit. Rëndësia e suksesit bëhet më e madhe sepse atë vit Liverpuli fitoi Kupën e parë të Kampionëve në historinë e tij.

Në vend të tretë, “Deili Meili” vendos sërish një “heroizëm” të Klopit, kualifikimin ndaj ish-ekipit të tij, Dortmundit, në 2016 në çerekfinale të Ligës së Europës. “Të kuqtë” fituan 4-3, me një përmbysje të madhe. Më pas është përmbysja minimale, por e pashpresuar shumë ndaj Çelsit të Murinjos (kampion i Anglisë) në 2005, një raund para finales së Stambollit.

Vazhdojnë fitorja 3-1 ndaj Okserrit në 1991 (pas humbjes 0-2 në Francë), fitorja 3-1 ndaj Interit në Kupën e Kampionëve në 1965 dhe kualifikimi në grup ndaj Olimpiakosit në Champions në 2004, me fitoren 3-1 falë golit të vonshëm të kapitenit Stiven Xherrard. Gjithsesi, asnjë përmbysje dhe asnjë fitore nuk mund të krahasohet me mbrëmjen e Stambollit, në maj 2005, kur Liverpuli i Rafa Benitezit fitoi Ligën e Kampionëve ndaj Milanit, duke u ndodhur 0-3 në humbje pas pjesës së parë, duke barazuar 3-3 e duke triumfuar me penallti.

Sfidanti.al