Lista e Spanjës, pa asnjë lojtar të Real Madrid

Trajneri i Spanjës, Luis de la Fuente, ka publikuar listën e lojtarëve të grumbulluar për ndeshjet e nëntorit të vlefshme për Ligën e Kombeve. Dhe e veçanta e madhe është se mes tyre nuk ka asnjë lojtar të Real Madrid. Kjo ndodh për herë të parë pas tre vitesh, ku mes 26 lojtarëve që trajneri ka thirrur për Las Rozas, nuk do të ketë asnjë nga “Los Blancos”. Pas mungesës së Dani Carvajal për shkak të dëmtimit – do të mungojë në pjesën e mbetur të sezonit – duke shtuar edhe largimet e Hoselut dhe Naços në merkaton e fundit të verës, Luis de la Fuente ka mbetur pa lojtarë të Realit të Madridit. Një listë së cilës tani mund t’i shtohen vetëm Jesus Vallejo, Fran Garcia, Lucas Vasquez apo Dani Ceballos, të vetmit që kanë mundësi të veshin fanellën e “La Roja”-s. Herën e fundit që ndodhi e njëjta gjë, që trajneri i kombëtares spanjolle nuk thirri asnjë lojtar të Realit të Madridit, ishte në tetor 2021, pak më shumë se tre vjet më parë. Në atë kohë, Luis Enrike nuk thirri asnjë lojtar të Realit për të luajtur në “Final 4” të Ligës së Kombeve. Spanja mundi Italinë në gjysmëfinale me atë rast, por përfundoi duke humbur ndaj Francës (1-2). Kujtojmë se Spanja do të mbyllë ndeshjet në grupe në Ligën e Kombeve me dy përballjet kundër Danimarkës më 15 nëntor dhe më pas kundër Zvicrës të hënën e 18 nëntorit. Kujtojmë se kombëtarja spanjolle e ka siguruar një vend në çerekfinalet e kompeticionit që do të luhen marsin e ardhshëm.

Portierë: David Raya, Álex Remiro, Robert Sánchez

Mbrojtës: Pedro Porro, Mingueza, Vivian, Laporte, Pau Torres, Cucurella, Grimaldo, Paredes

Mesfushorë: Merino, Zubimendi, Fabián, Pedri, Olmo, Baena, Casadó

Sulmues: Morata, Yamal, Nico Williams, Yéremi Pino, Oyarzabal, Ayoze, Samu Omorodion, and Bryan Zaragoza.

 

sfidanti.al