Thuajse e kishin harruar, por vendosi t’i kujtonte të gjithë se ekziston. Xherdan Shaqiri pati një paraqitje të shkëlqyer në Ligën e Parë të Francës duke ngritur peshë publikun në fitoren e vështirë, por tepër të rëndësishme të Lionit ndaj Olimpikut të Marsejës. Shaqiri shënoi në minutën e 76-të, ndërsa shërbeu Musa Dembelenë në minutën e parafundit, për një përmbysje që entuziazmoi tifozët vendas. Sezoni ka qenë vërtet i vështirë për Lionin, që mbetet larg vendeve të para, por një ndryshim duket se po ndodh, pasi në 5 ndeshjet e fundit ka tri fitore dhe asnjë humbje. Kjo paraqitje ishte vërtet e rëndësishme për Shaqirin, pasi shqiptari me origjinë nga Kosova nuk kishte mundur të tregonte veten në Francë, pas transferimit nga Liverpuli, me vetëm 2 gola ndërsa ka luajtur pak ndeshje, vetëm 11.
“Ndershmërisht, edhe unë u habita që shënova gol me kokë, – tha Shaqiri më pas, – loja e skuadrës sonë ishte e shkëlqyer sot. Ne patëm shumë mungesa, por ata që luajtën na bënë krenarë. Jam shumë i kënaqur me paraqitjen time, unë duhet të luaj gjithnjë kështu, ndërsa hyrja në lojë e Dembelesë ndryshoi gjithçka. Ishte e vështirë, por besoj se e merituam, sidomos me lojën pas pushimit. Marseja është një skuadër shumë e mirë dhe fitorja na jep besim. Synojmë kualifikimin në Europë sezonin tjetër”. Gjithsesi, Lioni duhet të bëjë një kthesë të vërtetë për të realizuar këtë objektiv. Për momentin, skuadra që dikur doli 7 herë radhazi kampione e Francës, ndodhet në vendin e 7-të me 34 pikë pas 22 javësh, edhe pse është vetëm 1 pikë larg vendit të 4-ët që mbahet nga Strasburgu.
Sfidanti.al