PSG del kundër rrymës: Mbape e Nejmar? Qendrojnë që të dy!

Vetë mediat franceze kishin raportuar se klubi parizien kishte ndërtuar një strategji të re, me dy “drejtime të ndryshme”. Të mbante me çdo kusht Kilian Mbapenë, dhe të pranonte largimin e Nejmarit. Të dy futbollistët kanë kontrata në “Park dë Prinses” deri në 2022, ndaj edhe kjo verë mund të quhej si mundësia e fundit për sheikët që të përfitonin maksimalisht nga kartonët e tyre. Në të kundërt, e përditshmja “L’Ekip” informon (sipas faksimiles në foto), se “urdhëri” nga klubi është që të dy sulmuesit të mbahen me çdo kusht.

Gjithsesi, drejtuesit e dinë se e është e pamundur të ushtrohet presion pafundësisht, ndaj vendosën të përqëndronin fuqinë e tyre financiare tek Mbapeja, për t’i ofruar një rrogë prej 50 milionë eurosh në sezon, gjë që do ta bënte lojtarin më të paguar në botë. Nejmari, duket se ka një akord me Barcelonën për të shkuar në “Kamp Nou” këtë verë. Sidoqoftë, kriza e koronavirusit i ka ndryshuar raportet financiare, dhe vështirë të flitet tani për shifra të tilla si 200 milionë euro e sipër. Ndoshta, PSG pret një kohë më të mirë, ndoshta vjeshtën, për të vendosur përfundimisht se cili do të jetë fati i dy yjeve kryesorë të skuadrës.

Sfidanti.al